Florent Ukaj
Florent Ukaj, i lindur dhe rritur në Piranë në një familje tradicionale të angazhuar në biznes dhe bujqësi, është kandidat për Kuvendin Komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Arsimin fillor e përfundoi në shkollën e fshatit “Zenel Hajdini” (sot “Dy Dëshmorët”), ndërsa të mesmin në gjimnazin “Gjon Buzuku”. Është i diplomuar në Menaxhment dhe Informatikë dhe ka përfunduar studimet master në Administrim Biznesi. Rrugëtimin politik e nisi në nëndegën e fshatit, më pas si nënkryetar i Forumit Rinor në Prizren dhe në nivel qendror të LDK-së. Në vitin 2021 ishte kandidat për deputet, duke u renditur i 16-ti në listën e LDK-së dhe ndër më të votuarit, por nuk mundi të bëhej deputet për shkak të kuotës gjinore. Po atë vit, garoi për Kuvendin Komunal të Prizrenit dhe doli asambleisti më i votuar. Aktualisht është anëtar i Kuvendit Komunal, ku ka ngritur vazhdimisht çështje që lidhen me shërbimet publike, bujqësinë dhe sportin.
